“Jehona e Malësisë”: Çdo pëllëmbë e Malësisë do të mbrohet, por jo duke dobësuar shqiptarët
Shoqata “Jehona e Malësisë”, përmes kryetarit Zef Berishaj, ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit rreth kufijve të Komunës së Tuzit dhe protestës së paralajmëruar për nesër.
Në reagim thuhet se Malësia nuk është pa zë, pa përfaqësim dhe pa kujtesë, duke theksuar se interesi i saj përfaqësohet përmes institucioneve dhe përfaqësuesve të zgjedhur nga populli.
Shoqata vlerëson se diaspora shqiptare ka dhënë një mandat të qartë për bashkimin politik të shqiptarëve në Tuz dhe për forcimin e Komunës së Tuzit, duke shtuar se ky mandat duhet të respektohet dhe të shërbejë për mbrojtjen e interesave të Malësisë.
Në deklaratë shprehet mbështetje për çdo shqetësim të sinqertë lidhur me kufijtë e komunës dhe për çdo përpjekje serioze për mbrojtjen e territorit të Malësisë, duke theksuar se shqiptarët autoktonë do të vazhdojnë të mbrojnë çdo pëllëmbë të tokës së tyre.
Sa i përket protestës së paralajmëruar, “Jehona e Malësisë” thekson se respekton të drejtën demokratike për protestë paqësore, por nuk pajtohet me, siç thuhet, përpjekjet për ta shndërruar shqetësimin qytetar në sulm ndaj përfaqësimit politik shqiptar në Tuz.
Shoqata shpreh mbështetje për përfaqësuesit shqiptarë të zgjedhur me votën e qytetarëve, duke theksuar se Malësia duhet të mbetet me shumicë shqiptare, e udhëhequr dhe e përfaqësuar nga shqiptarët.
Në fund të reagimit, “Jehona e Malësisë” bën thirrje për mbrojtjen e çdo pjese të territorit të Malësisë, kundërshtimin e çdo padrejtësie dhe zhvillimin e proceseve transparente, duke nënvizuar se asnjë shqetësim i ligjshëm nuk duhet të përdoret për të dobësuar përfaqësimin politik shqiptar në Tuz.
Ja postimi plotë:
Malësia nuk është pa zë, nuk është pa përfaqësim dhe nuk është pa kujtesë.
Interesi i Malësisë kalon përmes popullit të saj, institucioneve të saj dhe përfaqësuesve të zgjedhur nga ai popull. Diaspora jonë ka marrë rrugë, ka votuar dhe ka dhënë mbështetje të qartë për bashkimin politik të shqiptarëve në Tuz dhe për përfaqësuesit e dalë nga ai bashkim, që sot mbajnë përgjegjësi politike për Tuzin dhe Malësinë.
Ajo votë nuk ishte rastësi. Ishte mandat për ta mbrojtur Malësinë, për ta forcuar Komunën e Tuzit dhe për të mos e kthyer më fatin tonë në duart e atyre që për dekada na lanë pas.
Ne mbështesim çdo shqetësim të sinqertë për kufijtë e Komunës së Tuzit. Mbështesim çdo argument të drejtë dhe çdo përpjekje serioze për mbrojtjen e tokës sonë. Si popull autokton, jemi dhe do të mbetemi të gatshëm të avokojmë, të reagojmë dhe të luftojmë për çdo pëllëmbë që i takon Malësisë.
Sa i përket protestës së paralajmëruar për nesër, ne respektojmë të drejtën demokratike të çdo qytetari për protestë paqësore. Kjo e drejtë u takon të gjithëve, edhe atyre që për vite kanë mohuar, kundërshtuar ose relativizuar të drejtat tona kombëtare dhe institucionale. Por respektimi i së drejtës për protestë nuk do të thotë pajtim me motivet dhe parullat e saj, as me çdo përpjekje për ta kthyer shqetësimin qytetar në sulm kundër përfaqësimit shqiptar në Tuz.
Qëndrimi ynë është i qartë: ne qëndrojmë me përfaqësuesit tanë të zgjedhur dhe u besojmë atyre që kanë marrë mandatin e popullit për ta mbrojtur interesin e Malësisë.
Një gjë nuk negociohet: Malësia duhet të mbetet shumicë shqiptare, e udhëhequr nga shqiptarët dhe e përfaqësuar nga ata që marrin mandat nga vota shqiptare.
Ne e dimë mirë çfarë na kushtoi kur e ardhmja jonë varej nga partitë joshqiptare, nga strukturat që sunduan për dekada dhe nga bashkëpunëtorët e tyre shqiptarë. Ajo kohë na solli vonesë, largim, emigrim, përjashtim, varësi dhe dobësim institucional. Nuk kthehemi më aty.
Kritika është e drejtë kur bëhet me fakte. Shqetësimi është i respektueshëm kur është i sinqertë. Por manipulimi, shpifja dhe përçarja nuk janë patriotizëm. Nuk mund të mbrohet Malësia duke e dobësuar pikërisht fuqinë politike shqiptare që u ndërtua me votë, sakrificë dhe unitet.
Çdo pëllëmbë e Malësisë duhet të mbrohet.
Çdo padrejtësi duhet të kundërshtohet.
Çdo proces duhet të jetë i qartë për qytetarët.
Por asnjë shqetësim i drejtë nuk duhet të përdoret për ta dobësuar përfaqësimin shqiptar në Tuz.
Malësia nuk mbrohet duke e rrëzuar shtëpinë shqiptare që kemi ndërtuar me mund. Malësia mbrohet duke e forcuar atë.
Malësia është tokë shqiptare autoktone.
Tuzi duhet të mbetet komunë shqiptare.
E ardhmja jonë nuk do t’u dorëzohet më atyre që dikur na lanë pa zë, as bashkëpunëtorëve të tyre vendorë.
Kryetar i shoqatës “Jehona e Malësisë”,
Zef Berishaj
