Vitin e ardhshëm pritet të mbarojë gazsjellësi ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, vlerësoi Ministria e Energjetikës
Ministria për energjetikë, miniera dhe burimet minerale në Maqedoninë e Veriut pret që vitin e ardhshëm të mbarojë lidhja e gazit ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, duke vlerësuar se puna po ecën sipas planit.
“Ministria e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale, së bashku me NOMAGAS dhe operatorin grek të sistemit të transmetimit të gazit DESFA, kanë rënë dakord për hapat e ardhshëm për zbatimin e interkonektorit të gazsjellësit midis Maqedonisë dhe Greqisë – një nga projektet më të rëndësishme të infrastrukturës energjetike për vendin dhe rajonin”, njoftuan nga Ministria.
Në takimin ku morën pjesë udhëheqësit e Ministrisë, NOMAGAS-it dhe DESFA-s, u shqyrtuan aktivitetet për realizimin e lidhjes së gazit ndërmjet Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Ndryshe, pavarësisht se janë harxhuar miliona euro për sistemin e ndërtimit të rrjetit të gazifikimit në vend, projekti vazhdimisht është zvarritur me vite ndërsa sistemi nuk është ende funksional në tërësi. Ndonëse ndërtimi i tubacioneve të gazifikimit ka përfunduar në të gjitha segmentet në të gjithë vendin, ende nuk janë vënë në funksion.
Nga Ministria e Energjetikës sqaruan për Portalb.mk se vënia në funksion e tubacioneve të gazifikimit do të kryhet pas testimit të tyre, gjatë të cilit do të duhet të ketë konsumatorë të interesuar të gazit në vend (amvisëri, industri, etj). Megjithatë, nuk treguan se kur konkretisht pritet të bëhet kjo.
Interkonektori, me gjatësi 68 kilometra, në territorin e Maqedonisë së Veriut, do të mundësojë transportin e gazit natyror dhe hidrogjenit, duke kontribuar në sigurinë energjetike, duke ulur ndotjen dhe duke përshpejtuar kalimin në burime të energjisë së gjelbër.
Projekti, vlera e të cilit vlerësohet mbi 5.1 miliardë denarë, do të zbatohet me mbështetjen e Bashkimit Evropian, Bankës Evropiane të Investimeve (BEI) dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), përmes granteve, asistencës teknike dhe kredive të buta.
Ndërtimi i interkonektorit ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë paraprakisht kishte ngecur në përzgjedhjen e realizuesit që do e ndërtojë atë.
