Nismë historike: Nikollë Camaj propozon themelimin e Institutit Albanologjiko-Kulturologjik në Mal të Zi

Nënkryetari i Parlamentit të Malit të Zi, Nikollë Camaj, dorëzoi sot në procedurë parlamentare Propozim-vendimin për themelimin e Institutit Albanologjiko-Kulturologjik në Mal të Zi, një nismë që synon krijimin e një institucioni të dedikuar për studimin, ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë gjuhësore, historike dhe kulturore të shqiptarëve në vend.

Camaj vlerësoi se themelimi i këtij instituti përbën një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bazës institucionale për kërkimin shkencor në fushën e albanologjisë dhe kulturologjisë, si dhe për mbrojtjen dhe afirmimin e identitetit kulturor të komunitetit shqiptar në Mal të Zi.

“Me këtë propozim krijojmë një kornizë të qëndrueshme institucionale që do të kontribuojë në zhvillimin e shkencës, ruajtjen e diversitetit kulturor dhe forcimin e karakterit multietnik të Malit të Zi”, deklaroi Camaj.

Ai shprehu bindjen se nisma do të marrë mbështetjen e deputetëve, duke theksuar se ajo është në përputhje me marrëveshjet e partneritetit dhe me angazhimet për avancimin e të drejtave të komuniteteve dhe zhvillimin e institucioneve shtetërore.

“Në përputhje me marrëveshjet dhe pozicionin e partneritetit që kemi, jam i bindur se deputetët do ta njohin rëndësinë e kësaj nisme dhe do ta mbështesin miratimin e saj”, tha Camaj.

Themelimi i Institutit Albanologjiko-Kulturologjik pritet të krijojë kushte për hulumtim të organizuar shkencor, dokumentim dhe promovim të trashëgimisë kulturore shqiptare, duke kontribuar njëkohësisht në pasurimin e jetës akademike dhe kulturore të Malit të Zi.

Ja postimi plotë:

Sot dorëzuam, për procedurë parlamentare, Propozimin e vendimit për themelimin e Institutit albanologjiko-kulturologjik në Malin e Zi. Besojmë se themelimi i këtij institucioni paraqet një hap të rëndësishëm drejt studimit sistematik, ruajtjes dhe afirmimit të gjuhës, kulturës, historisë dhe trashëgimisë së përgjithshme të komunitetit shqiptar në Malin e Zi. Me këtë propozim do të krijojmë një kornizë të qëndrueshme institucionale që do të kontribuojë në zhvillimin e shkencës, ruajtjen e diversitetit kulturor dhe forcimin e karakterit multietnik të Malit të Zi.
Sipas marrëveshjeve dhe pozicionit të patneritetit që kemi, jam më se i sigurt se deputetët do ta njohin rëndësinë e kësaj nisme dhe ta mbështesin miratimin e saj.

You may also like...