15.8 C
Skopje
HomeLajmeMjeku i Javës Dr. Nderim Rexha: Stresi dhe ankthi faktor rreziku për...

Mjeku i Javës Dr. Nderim Rexha: Stresi dhe ankthi faktor rreziku për shëndetin e zemrës

Dr. Nderim Rexha është spz. i Kardiologjisë. Ai vjen në një intervistë në Gazetën Shneta ku flet për ndikimin e stresit dhe ankthit në shkaktimin e sëmundjeve të zemrës.

Gazeta Shneta: Si ndikojnë stresi dhe ankthi në shëndetin e zemrës?

Dr. Nderim Rexha: Stresi dhe ankthi aktivizojnë vazhdimisht mekanizmat e “alarmit” në trup. Kjo do të thotë se zemra punon më fort, enët e gjakut ngushtohen dhe rritet prodhimi i hormoneve të stresit si adrenalina dhe kortizoli. Kur kjo gjendje bëhet kronike, zemra lodhet, rritet rreziku për tension të lartë, çrregullime të ritmit dhe sëmundje koronare. Pra, stresi nuk është vetëm ndjesi psikologjike, por një faktor real rreziku për zemrën.

Gazeta Shneta: Si ndikojnë stresi dhe ankthi në presionin e gjakut dhe rrahjet e zemrës?

Dr. Nderim Rexha: Në situata stresi, presioni i gjakut rritet dhe rrahjet e zemrës përshpejtohen. Tek disa persona kjo manifestohet si palpitacione, ndjesi “goditjeje” në kraharor ose rrahje të çrregullta. Nëse kjo ndodh shpesh, presioni i lartë mund të bëhet i qëndrueshëm dhe të dëmtojë gradualisht zemrën dhe enët e gjakut.

Gazeta Shneta: Cilat janë shenjat paralajmëruese që tregojnë se zemra po ndikohet nga stresi i vazhdueshëm?

Dr. Nderim Rexha: Shenjat më të shpeshta janë: rrahje të shpejta ose të parregullta të zemrës, dhimbje ose shtrëngim në kraharor, vështirësi në frymëmarrje, marramendje dhe çrregullime të gjumit. Shpesh këta pacientë thonë se “zemra nuk po u rri rehat”, sidomos gjatë pushimit ose natën.

Gazeta Shneta: A mund stresi afatgjatë të shkaktojë sëmundje serioze të zemrës, si infarkt ose aritmi?

Dr. Nderim Rexha: Po. Stresi kronik rrit ndjeshëm rrezikun për infarkt të miokardit, sidomos tek personat që kanë edhe faktorë të tjerë rreziku si duhani, diabeti apo kolesteroli i lartë. Ai gjithashtu mund të shkaktojë ose përkeqësojë aritmitë kardiake. Në disa raste, stresi i fortë emocional lidhet edhe me sindroma specifike, si “zemra e thyer” apo Broken Heart Syndrome, një formë dëmtimi e zemrës që më shpesh i prek gratë

Gazeta Shneta: Si mund pacientët të kontrollojnë ndikimin e stresit në zemër?

Dr. Nderim Rexha: Kontrolli i stresit kërkon një qasje të kombinuar. Aktiviteti fizik i rregullt, gjumi cilësor, ushqimi i shëndetshëm dhe shmangia e duhanit janë bazë. Po aq i rëndësishëm është edhe menaxhimi emocional: teknika relaksimi, frymëmarrje e thellë, meditimi ose biseda me profesionistë të shëndetit mendor. Në disa raste, edhe trajtimi mjekësor është i nevojshëm.

Gazeta Shneta: A ka dallime në ndikimin e stresit tek të rinjtë krahasuar me të moshuarit?

Dr. Nderim Rexha: Tek të rinjtë, stresi shpesh shfaqet me palpitacione, ankth dhe rritje të përkohshme të tensionit, zakonisht pa dëmtime strukturore të zemrës. Tek të moshuarit, sidomos ata me sëmundje ekzistuese të zemrës, stresi ka pasoja më serioze dhe mund të precipitojë infarkt, aritmi, çrregullim i tensionit arterial dhe dekompensim kardiak të pacientët që vuajnë nga insuficienca e zemrës. Pra, mosha dhe gjendja shëndetësore luajnë rol kyç.

Gazeta Shneta: Çfarë këshillash mund t’u jepen lexuesve për parandalimin e dëmtimit të zemrës nga ankthi dhe stresi i përditshëm?

Dr. Nderim Rexha: Në kohët që po jetojmë, stresi është bërë pjesë e përditshmërisë sonë dhe ndikimi i tij në jetën personale dhe shëndetin është pothuajse i pashmangshëm. Ritmi i shpejtë i jetesës, ngarkesa në punë dhe shqetësimet e vazhdueshme emocionale reflektohen drejtpërdrejt në organizëm, veçanërisht në zemër. Edhe pse stresi nuk mund të eliminohet plotësisht, ai mund dhe duhet të menaxhohet. Kujdesi për shëndetin mendor, aktiviteti fizik i rregullt, ushqyerja e shëndetshme, gjumi i mjaftueshëm dhe gjetja e kohës për qetësi dhe relaksim janë thelbësore për ruajtjen e shëndetit në përgjithësi dhe të zemrës në veçanti. Një zemër e shëndetshme kërkon jo vetëm trajtim mjekësor, por edhe një mendje më të qetë dhe një stil jete të balancuar.

Lajmi i fundit