Mexhiti: Pas rikonstruimit, VLEN do të udhëheqë me 6 ministri – 3 miliardë euro investime në vendbanimet shqiptare
Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, në emisionin “Click Plus” në TV21, ka bërë një bilanc të dy viteve të qeverisjes së koalicionit, duke theksuar se shqiptarët po marrin pjesën që u takon në investime dhe përfaqësim institucional.
Sipas tij, ndryshimet tashmë po ndihen në komunat dhe vendbanimet shqiptare, ndërsa fokusi i VLEN-it ka qenë që përfitimet të mos mbeten vetëm në çështje simbolike, por të reflektohen në ekonomi dhe zhvillim.
“Shqiptarët duhet ta marrin hisen e tyre në buxhet. Ekonomia e determinon politikën, jo të mbetemi vetëm në çështjet folklorike. Përkushtimi ynë ka qenë të marrim hisen që na takon. Janë 3 miliardë euro të fokusuara në vendbanimet shqiptare”, deklaroi Mexhiti.
Ai shtoi se përmes procesit të decentralizimit janë realizuar 360 projekte në komunat shqiptare, duke theksuar se një pjesë e konsiderueshme e financimit vjen nga kredia hungareze.
“Nga 300 milionë euro të kredisë hungareze, 100 milionë janë dedikuar për komunat shqiptare. Po ashtu kemi avancuar çështje si ligji për përfaqësim të drejtë, provimi i jurisprudencës, ligji për lojërat e fatit, Korridori 8, sheshi Skënderbeu dhe ligji për Medresenë”, tha ai.
Duke folur për rikonstruimin e Qeverisë, Mexhiti deklaroi se VLEN do të dalë më i fuqishëm, duke udhëhequr me gjashtë ministri.
“Nga 18 resorë në Qeveri, VLEN do të udhëheqë me 6 ministri. Do të dalim shumë më të fuqishëm. Kemi një ekip me djem dhe vajza të përgatitur, profesionistë, që do ta zbatojnë programin e VLEN-it dhe do ta rrisin dinamikën e ekzekutivit”, u shpreh ai.
Sipas Mexhitit, VLEN do të marrë në drejtim Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, si dhe Ministrinë e Kulturës, me synimin për të përmbyllur çështje që, sipas tij, kanë mbetur të pazgjidhura prej vitesh.
“Ne i kemi kërkuar këto dikastere sepse duam të mbyllim disa çështje që, edhe pse janë drejtuar gjashtë herë nga të tjerë, nuk janë zgjidhur, si provimi i jurisprudencës dhe rreth 30 licenca apo provime të tjera”, tha ai.
I pyetur për ministrinë që drejtonte Fatmir Limani, Mexhiti theksoi se Limani nuk është më pjesë e VLEN-it dhe se koalicioni negocion vetëm për kuadrot e veta.
“Fatmir Limani nuk është më pjesë e VLEN-it. Këtë e kemi deklaruar publikisht unë, Bilall Kasami, por edhe vetë Limani ka bërë të ditur se nuk është më pjesë e VLEN-it”, përfundoi Mexhiti.
Mexhiti, ka komentuar spekulimet rreth emrave të Agon Feratit dhe Jeton Shasivarit si ministra të mundshëm në përbërjen e re të Qeverisë.
Ai tha se të dy janë pjesë e një gjenerate të re që meriton të ketë mundësinë të kontribuojë në institucione, por theksoi se ende nuk është marrë asnjë vendim përfundimtar.
\\\\\\\\\\\\\\\”Sikur Agon Ferati, ashtu edhe Jeton Shasivari janë gjeneratë e re dhe mendoj se e meritojnë shansin. Megjithatë, ende nuk ka asgjë definitive, pasi bisedimet nuk kanë përfunduar\\\\\\\\\\\\\\\”, deklaroi Mexhiti.
Ai shtoi se negociatat për përbërjen e re qeveritare janë ende në zhvillim dhe se emrat zyrtarë do të bëhen të ditur pasi të përmbyllen konsultimet.
