Ish-ministri Endrit Shala dënohet me dy vjet burgim për konflikt interesi

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur fajtor ish-ministrin e Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, duke e dënuar me dy vjet burgim për veprën penale “Konflikt interesi”.

Aktgjykimi u shpall të hënën nga trupi gjykues i kryesuar nga Violeta Namani-Hajra.

Sipas gjykatës, nuk janë përmbushur elementet e veprës penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”, për të cilën ishte akuzuar fillimisht Shala, andaj vepra është rikualifikuar në “Konflikt interesi”.

Sipas aktakuzës, Endrit Shala kishte nënshkruar dhe miratuar më 30 maj 2019 vendimin për emërimin e kompanisë “Euro Inspekt” si trupë inspektuese për vlerësimin e konformitetit të karburanteve të lëngëta të naftës në Kosovë. Prokuroria pretendon se kompania ishte në pronësi të Valdet Teneqes, i cili kishte lidhje familjare me Shalën, pasi ishte baxhanaku i tij. Sipas aktakuzës, përmes këtij vendimi, Shala i kishte mundësuar Teneqes dhe biznesit të tij përfitim financiar në vlerë prej 732 mijë e 642 eurosh.

Dënimi me burgim do të ekzekutohet pasi aktgjykimi të marrë formë të prerë. Shala është obliguar gjithashtu të paguajë 100 euro për paushallin gjyqësor dhe 100 euro për Fondin për Kompensimin e Viktimave të Krimit. Palët kanë të drejtë ankese brenda 30 ditësh.

Në këtë rast ishte akuzuar edhe ish-ministri Vesel Krasniqi, por procedura ndaj tij është veçuar më herët nga gjykata.

Shala dhe Krasniqi ishin deklaruar të pafajshëm në seancën fillestare të mbajtur në nëntor të vitit 2024. Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzën ndaj tyre në gusht të po atij viti për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

You may also like...