Deputeti Adnan Azizi godet Bajram Rexhepin: Shtyllat e shkollës në Sellcë u kalbën duke pritur investimet tuaja
Deputeti i VLEN, Adnan Azizi, ka reaguar ashpër ndaj kryetarit të degës së BDI-së në Tetovë, Bajram Rexhepit, duke e akuzuar për dështime të shumta gjatë 22 viteve të qeverisjes së BDI-së dhe duke i kujtuar mungesën e projekteve konkrete në Tetovë dhe rrethinë.
Përmes një reagimi publik, Azizi ironizon me thirrjet e Rexhepit për referendum, duke thënë se para se të flasë për “kauza të mëdha”, duhet fillimisht të përballet me qytetarët e Sellcës dhe Tetovës për të parë nëse ata mbajnë mend qoftë edhe një projekt të realizuar nga ai dhe partia e tij.
“Luftë bëmë në vitin 2001, Marrëveshjen e Ohrit e fituam, pastaj ju dhamë 22 vite pushtet qendror, pushtet lokal, gjysmën e qeverisë, ministra sa të duash, gjykatës e prokurorë me telefonata, madje edhe kryeministër teknik. Me pak fjalë, ju dhamë gjithçka: gjak, mund, djersë dhe rini”, shprehet Azizi në reagimin e tij.
Ai numëron një varg problemesh që, sipas tij, kanë mbetur si trashëgimi e qeverisjes së BDI-së: emrat e rrugëve të pandryshuar, deponitë e egra në Tetovë, qentë endacakë, mungesën e ujit të pijshëm, si dhe zbrazjen e Pollogut nga rinia që mori rrugën e mërgimit.
Në reagimin e tij, Azizi ndalet veçanërisht te Sellca, duke e akuzuar Rexhepin se nuk arriti të realizojë as rrugën e fshatit, ndërsa investimet në shkollë mbetën vetëm premtime. Sipas tij, banorët pritën për më shumë se dy dekada, derisa projektet nisën të lëvizin vetëm pas ardhjes së Bilall Kasamit në krye të Komunës së Tetovës.
“Prandaj, para se të mbash ligjërata për referendume e kauza të mëdha, ndoshta bëj një referendum me banorët e Sellcës dhe të Tetovës: a e mbajnë mend ndonjë projekt tuajin?”, thekson Azizi.
Deputeti i VLEN-it kujton se përgjigjja e parë ndaj BDI-së, sipas tij, tashmë është dhënë në zgjedhje, ku kjo parti ka humbur dy herë radhazi në Tetovë me rreth 5 mijë vota diferencë. Megjithatë, ai paralajmëron se “përgjigjja më e fuqishme ende nuk ka ardhur”, duke aluduar në zgjedhjet e ardhshme.
Në fund, Azizi akuzon BDI-në se, në vend të reflektimit dhe kërkimfaljes për dështimet e 22 viteve, vazhdon me shpifje, propagandë dhe arsyetime, ndërsa qytetarët – sipas tij – nuk harrojnë rrugët e pabëra, projektet e munguara dhe premtimet e harruara.
https://www.facebook.com/share/p/1DsG3EdMdj/
