Bastiset vila e Samir Manes, prokuroria po e heton për lidhje me trafikantë droge
Byroja Kombëtare e Hetimit ka ushtruar kontroll në vilën e biznesmenit Samir Mane, si dhe në ambientet e zyrës së tij, me vendim të GJKKO-së. Burime të besuara bëjnë me dije se gjatë kontrollit është sekuestruar edhe telefoni celular i biznesmenit.
Kontrollet vijnë në vijim të megaoperacionit të SPAK, i cili goditi tre grupe të dyshuara kriminale të përfshira në trafikun ndërkombëtar të kokainës dhe pastrimin e parave. Në qendër të hetimeve janë grupet e drejtuara nga Artur Shehu, Artur alias Luciano Koceku dhe Alfredo Hamzai.
Sipas dosjes hetimore, paratë e përfituara nga trafiku i drogës dyshohet se investoheshin në sektorin e ndërtimit përmes biznesmenëve Ilir Shtufi dhe Orest Sota. Hetimet kanë evidentuar gjithashtu investime të dyshuara në projektin Green Coast në Palasë, në pronësi të Samir Manes.
Emri i Manes përmendet në materialet hetimore të SPAK. Burimet konfirmojnë se gjatë kontrollit janë sekuestruar pajisje dhe materiale që mund t’i shërbejnë hetimit, ndërsa telefoni celular i biznesmenit është marrë për verifikime të mëtejshme.
Kjo nuk është hera e parë që emri i Samir Manes shfaqet në dosje të rëndësishme hetimore të SPAK-ut. Më herët, ai është përmendur edhe në hetimet ndaj grupeve të drejtuara nga Alfredo Hamzai dhe Luciano Koçeku, të cilët prokuroria i konsideron figura kyçe në trafikun ndërkombëtar të kokainës dhe pastrimin e parave.
Sipas materialeve hetimore të publikuara, në dosjen e Hamzait dhe Koçekut janë dokumentuar komunikime ku diskutohej për projekte ndërtimore në zonën turistike të Palasës. Hetuesit kanë evidentuar biseda ku personat nën hetim flasin për takime dhe negociata me Samir Manen lidhur me përfshirjen e tokave në projekte rezidenciale të lidhura me kompleksin Green Coast.
Në komunikimet e përgjuara përmenden edhe pagesa që sipas personave të përfshirë arrinin deri në 3 milionë euro për përfshirjen e tokave në projektet turistike në bregdetin shqiptar. Sipas SPAK-ut, në disa prej këtyre komunikimeve Mane përmendet si personi me të cilin negociohej realizimi i marrëveshjeve.
Ndërkohë, emri i biznesmenit është përmendur edhe në dosjen ndaj ish-presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, dhe Monika Kryemadhit, ku SPAK ka ngritur akuza për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Në këtë hetim, prokuroria ka përfshirë komunikime dhe episode që i konsideron të rëndësishme për zbardhjen e skemave të dyshuara.
Megjithatë, deri më tani ndaj Samir Manes nuk është ngritur asnjë akuzë penale. Vetë biznesmeni ka deklaruar më herët se nuk ka asgjë për të komentuar përtej faktit se nuk ndodhet nën akuzë.
