Kostovski nuk ndalet: Ofensiva ndërtimore po ndryshon fytyrën e lagjes Shkup Veri
Kryetari i Komunës së Butelit, Darko Kostovski, ka informuar se në lagjen Shkup Veri po zhvillohet ofensiva më e madhe ndërtimore, me investime të konsiderueshme në projekte infrastrukturore që synojnë përmirësimin e kushteve të jetesës për banorët.
Sipas Kostovskit, sot ka përfunduar rikonstruksioni i degës së dytë të rrugës “Boro Menkov”, ku përveç asfaltimit janë rindërtuar edhe trotuaret dhe parkingjet paralele.
Njëkohësisht, sipas Kostovskit po realizohet edhe rikonstruksioni i të gjitha shtigjeve hyrëse drejt ndërtesave në rrugët “Boro Menkov”, “Kosturska”, “Lazo Moskov” dhe “Goce Stojçevski”.
Kostovski ka paralajmëruar se së shpejti do të nis edhe rikonstruksioni i rrugës “Kosturska”, i cili do të përfshijë dy hapësira të mëdha parkimi, shtigjet hyrëse dhe për herë të parë, ndërtimin e një trotuari që do të mundësojë lëvizje më të sigurt dhe pa pengesa për këmbësorët.
“Po realizojmë atë që qytetarët e lagjes Shkup Veri e kanë kërkuar prej kohësh. Punojmë me përkushtim për qytetarët dhe për të ardhmen e tyre”, ka deklaruar Kostovski, duke theksuar se kjo është ofensiva më e madhe ndërtimore e realizuar ndonjëherë në këtë pjesë të Komunës së Butelit.
