Taravari: ASH mund të rikthehet në Qeveri vetëm mbi bazën e një Marrëveshje të re
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka deklaruar se rikthimi i mundshëm i partisë së tij në Qeveri mund të ndodhë vetëm nëse ka një marrëveshje të re politike, e cila do të përfshinte garanca për nisjen e negociatave me Bashkimin Evropian dhe për ndryshimet kushtetuese.
I pyetur në emisionin “Debat në Shenja” nëse ASH mund të rikthehet në ekzekutiv, Taravari tha se do të ishte nënçmuese të kthehej aty prej nga ka dalë, por nuk e përjashtoi plotësisht një skenar të tillë.
“Vetëm me një marrëveshje të re, në të cilën do të kishte së paku garanca për fillimin e negociatave me BE-në dhe ndryshimet kushtetuese, edhe mund të diskutohet. Në të kundërtën, nuk ka çfarë të diskutohet”, deklaroi Taravari.
Duke komentuar protestën e mbajtur në Gostivar, ku qytetarë të revoltuar kërkuan ujë të pijshëm dhe u dëmtuan edhe xhamat e objektit të komunës, Taravari tha se bëhet fjalë për tentativë për defokusim të opinionit publik, në një kohë kur, sipas tij, komuna është duke realizuar rreth 20 projekte paralelisht.
Ai shtoi se nuk mund të akuzojë drejtpërdrejt BDI-në për organizimin e protestës, por la të kuptohet se pas saj qëndrojnë persona të afërt me VLEN-in.
Taravari shkoi edhe më tej, duke pretenduar se në protestë kanë marrë pjesë edhe persona që, sipas tij, njihen në Gostivar si përdorues të narkotikëve.
Në intervistë, kreu i ASH-së sulmoi edhe koalicionin VLEN, për të cilin tha se “nuk pyetet për asgjë” në qeverisje dhe se nuk ka informata për zhvillimet politike.
“S’janë fare aty, nuk kanë informata se çfarë ndodh. Mund vetëm të sulmojnë”, tha Taravari, duke shtuar se VLEN-i nuk ka fuqi reale vendimmarrëse.
Ai foli edhe për raportet e brendshme në VLEN, duke thënë se sipas përshtypjes së tij, figurat kryesore në këtë subjekt janë Izet Mexhiti dhe Adnan Azizi, ndërsa Bilall Kasami është më shumë i fokusuar në drejtimin e Komunës së Tetovës.
Sipas Taravarit, përplasja e ardhshme politike brenda VLEN-it mund të ndodhë mes grupacionit të Besës dhe atij të LD-së, ndërsa Alternativa, siç u shpreh ai, praktikisht është shkrirë.
Në fund, ai komentoi edhe rolin e Bekim Qokut, për të cilin tha se është përfaqësues i Vetëvendosjes dhe i Albin Kurtit në Maqedoninë e Veriut, duke shtuar se VLEN-i e përdor atë si figurë të ekspozuar politike.
