Deputetja e VLEN Mimoza Musa merr pjesë në Konferencën e 5-të në Parlamentin Evropian në Bruksel
Deputetja e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut nga koalicioni VLEN, Mimoza Musa, mori pjesë më 23 dhe 24 qershor në Konferencën e 5-të me temë “Kapërcimi i hendekut ndërmjet pjesëmarrjes politike të të rinjve dhe politikave rinore”, e mbajtur në Parlamentin Evropian në Bruksel.
Në këtë aktivitet, së bashku me deputetë dhe përfaqësues të shoqërisë civile nga vendet e Ballkanit Perëndimor, u diskutuan tema të rëndësishme që lidhen me politikat rinore dhe përfshirjen e të rinjve në proceset vendimmarrëse.
Gjatë punimeve të konferencës, u trajtuan çështje si avancimi i politikave për të rinjtë, sfidat e shëndetit mendor te gjeneratat e reja, si dhe nevoja për rritjen e pjesëmarrjes së tyre në jetën publike dhe politike. Po ashtu, u theksua rëndësia e perspektivës evropiane për vendet e rajonit dhe forcimi i bashkëpunimit ndërmjet Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.
Pjesëmarrësit shkëmbyen përvoja dhe ide mbi mënyrat se si mund të krijohen më shumë mundësi për të rinjtë, duke synuar politika më gjithëpërfshirëse dhe më afër nevojave të tyre.
Deputetja Musa vlerësoi rëndësinë e këtyre forumeve ndërkombëtare si hapësira ku ndërtohen ura bashkëpunimi dhe ku forcohet dialogu për të ardhmen e gjeneratave të reja në rajon.
https://www.facebook.com/share/p/1HGPU1rqzd/
