Aliu nga Brukseli: Marrëveshja për EU4Health sjell mbështetje evropiane për reformat në shëndetësi
Në Bruksel, ministri i Shëndetësisë Azir Aliu dhe Komisioneri Evropian për Shëndetësi, Oliver Varhej, firmosën sot marrëveshjen që i hap rrugë pjesëmarrjes së Republikës së Maqedonisë së Veriut në EU4Health, programin më të madh të Bashkimit Evropian në sektorin e shëndetësisë.
Gjatë ceremonisë solemne të nënshkrimit, Aliu vlerësoi se hyrja në EU4Health përbën një moment me rëndësi për afrimin evropian të sistemit shëndetësor të Maqedonisë, si edhe një dëshmi se reformat që po zbatohen në vend ecin në linjë me standardet dhe prioritetet e BE-së.
“Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, vendi ynë bëhet pjesë e përpjekjeve evropiane për forcimin e sistemeve shëndetësore, avancimin e shëndetit publik, digjitalizimin e shërbimeve shëndetësore, përmirësimin e gatishmërisë për kriza shëndetësore dhe sigurimin e një kujdesi shëndetësor më cilësor për qytetarët. Ky nuk është vetëm anëtarësim në një program evropian, por një investim në shërbime më të mira shëndetësore, institucione më të forta dhe kushte më të mira për pacientët dhe punonjësit shëndetësorë. Me EU4Health, reformat tona fitojnë mbështetje shtesë evropiane, njohuri dhe partneritete”, deklaroi ministri Aliu në fjalën e tij.
Sipas tij, akti i nënshkrimit të sotëm përçon një mesazh të rëndësishëm: Maqedonia e Veriut nuk mjaftohet vetëm me shpalljen e orientimit të saj evropian, por e kthen atë në politika konkrete dhe në mundësi të prekshme për qytetarët.
Përfshirja në këtë program do t’u japë mundësi institucioneve shëndetësore dhe ekspertëve maqedonas të marrin pjesë në rrjete evropiane, projekte të përbashkëta dhe nisma të fokusuara në përmirësimin e politikave dhe shërbimeve në shëndetësi.
