Ligji për përfaqësim të drejtë sot para deputetëve, do të votohet me “Badenterin e vogël”

Projektligji për përfaqësim adekuat dhe të drejtë sot do të dalë para deputetëve në seancë plenare për lexim të parë. Pavarësisht reagimeve dhe kundërshtimeve të opozitës shqiptare lidhur me mënyrën e miratimit të tij, ligji do të procedohet sipas mekanizmit të njohur si “Badenteri i Vogël”, që kërkon mbështetjen e shumicës së deputetëve të pranishëm nga komunitetet joshumicë.

Me këtë zgjidhje ligjore synohet të zëvendësohet mekanizmi i njohur si “balancuesi”, i cili u shfuqizua nga Gjykata Kushtetuese. Sipas propozimit, përfaqësimi i drejtë dhe adekuat në institucionet shtetërore do të bazohet në të dhënat e regjistrimit të fundit të popullsisë, si dhe në nevojat reale për punësim në sektorin publik.

Partitë opozitare shqiptare vlerësojnë se ligji i ri nuk ofron garanci të mjaftueshme për ruajtjen e përfaqësimit etnik dhe nuk mund të zëvendësojë në mënyrë adekuate balancuesin e shfuqizuar.

Ndërkohë, LSDM ende nuk ka bërë të ditur qëndrimin e saj përfundimtar nëse do ta mbështesë ose jo ligjin. Megjithatë, gjatë debatit në komision, deputetët e kësaj partie kanë paraqitur një sërë vërejtjesh dhe propozimesh për tekstin e projektligjit.

You may also like...